Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së shoqërive të kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre”, që synojnë të rrisin kontrollin për të shmangur pjesëmarrjen në këto institucioneve të subjekteve dhe individëve me aktivitete të jashtëligjshme dhe fonde që burojnë prej tyre. Ndryshimet e propozuara parashikojnë dokumentacion shtesë për subjektet që aplikojnë për licencë, që vërtetojnë për secilin anëtar themelues të SHKK-së, se personi nuk është në ndjekje penale, nuk është në gjykim për vepra penale, nuk është i dënuar penalisht (nga Ministria e Drejtësisë) dhe personi nuk është objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm (nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor). Dokumentet e lartpërmendura duhet të jenë lëshuar jo më herët se tre muaj nga data e paraqitjes së aplikimit në Bankën e Shqipërisë. Shoqëritë e kursim-kreditit apo kooperativat financiare janë shoqëri që ofrojnë shërbime vetëm për personat e anëtarësuar në to. Në këto shoqëri, individët e anëtarësuar mund të vendosin depozita, si edhe të përfitojnë kredi apo edhe shëbrime të tjera pagesash. Modeli i SHKK-ve ka rezultuar veçanërisht efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar. Kjo vlen sidomos për fermerët dhe individët që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale të vendit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në mesin e këtij viti arriti vlerën e 13.9 miliardë lekëve ose pothuajse 119 milionë eurove. Aktualisht në Shqipëri veprojnë 16 SHKK të licencuara, si edhe një union i tyre.https://ata.gov.al/2022/09/20/bsh-forcon-kontrollin-mbi-licencimin-e-shoqerive-te-kursim-kreditit/