Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIEkonomia shqiptare do të vijojë rritjen

Ekonomia shqiptare do të vijojë rritjen

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti sot në një takim zyrtar zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, të shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të këtij institucioni. Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme për hartimin e reformave ekonomike dhe financiare të vendit dhe sidomos për zbatimin e reformave të nevojshme për konsolidimin e sistemit bankar shqiptar. Më tej, Guvernatori e ka njohur Li me zhvillimet më të fundit makroekonomike në Shqipëri, me ecurinë e inflacionit dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për mbajtjen e tij nën kontroll, me ecurinë e kreditimit në vend, konsolidimin e sistemit bankar dhe punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në këtë fushë. Në përmbushje të mandatit të saj kryesor, Banka e Shqipërisë ka vijuar procesin e normalizimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit tre herë gjatë këtij viti, për kontrollin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor afatmesëm. “Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend, duke krijuar kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare” u shpreh Guvernatori. Ambienti i jashtëm vazhdon të mbetet sfidues. Megjithatë, Guvernatori parashtroi se ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2022 e më tej, duke dëshmuar gjerësinë dhe soliditetin e burimeve të rritjes, qëndrueshmërinë e mbështetjen e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat. Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se vitet e fundit ky sistem ka patur një konsolidim të mëtejshëm, karakterizuar nga tregues të qëndrueshëm financiarë dhe likuiditet i bollshëm për të mbështetur zhvillimin e vendit. Gjatë vitit 2022, depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Disa nga çështjet e tjera në të cilat ai u ndal ishin nxitja e kreditimit të shëndetshëm, reduktimi i kredive me probleme, digjitalizimi i tregut të pagesave dhe fuqizimi i aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Ndërmarrja e hapave konkretë në secilën fushë mbetet një tregues konkret i angazhimit të Bankës së Shqipërisë për respektimin e detyrave të saj ligjore, adresimin e sfidave të reja, si dhe mirëqeverisjen institucionale. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN, Bo Li, nga ana e tij theksoi se vitet e fundit, Shqipëria është përballur me tre goditje të forta të njëpasnjëshme si tërmeti i vitit 2019, pandemia mbarëbotërore dhe rritja e theksuar e ҫmimit të energjisë dhe ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë e megjithatë vendi ka vazhduar progresin, falë edhe masave mbështetëse dhe koordinimit përkatës të autoriteteve kryesore në vend për të kufizuar në kohë efektin e këtyre goditjeve. Sipas tij, një meritë e veçantë për këto arritje të mëdha i takon Bankës së Shqipërisë, e cila ka qenë mjaft e suksesshme në zbatimin e politikave të saj, duke kontribuar në një ambient të shëndoshë makroekonomik dhe duke siguruar një treg të konsoliduar bankar në Shqipëri. “Banka e Shqipërisë me të drejtë ka nisur procesin e normalizimit të politikës monetare në vitin 2022 për të mbajtur në kontroll presionet inflacioniste,” u shpreh Li. Më tej, ai nënvizoi se pavarësisht sfidave botërore dhe efekteve të tyre lokale, Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave të mëtejshme me qëllim adoptimin dhe përafrimin me standardet e BE-së. Forcimi i institucioneve, përmirësimi i qeverisjes dhe përputhshmëria me standardet më të mira ndërkombëtare mbeten kushte thelbësore për zbatimin e reformave dhe arritjen e këtyre objektivave.https://ata.gov.al/2022/09/19/sejko-me-zv-drejtorin-e-fmn-ekonomia-shqiptare-do-te-vijoje-rritjen/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments