Shtegu turistik Setë-Liqenet e Lurës po kthehet në një destinacion turistik vitet e fundit, për të pasionuarit pas alpinizimit. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot pamje nga ky shteg, duke ftuar qytetarët që ta vizitojnë atë. “Ky shteg fillon në fshatin Arras dhe përfundon në Liqenet e Lurës, me një gjatësi prej 21.5 km he vështirësi mesatare. Një itinerar, ku për rreth 5-6 orë do të mund të sodisni burimet e shumta natyrore si: ujëvara, shpella, kanione, liqenet akullnajore, pyjet dhe deri tek monumentet historike, të cilat lidhen me figurën e Skënderbeut dhe familjen e Kastriotëve”, thekson AKZM në një postim në rrjetet sociale. Teksa ndjek shtegun “Setë-Liqenet e Lurës” mund të shijoni pamjen që të ofron Kanioni i Setës, ose gryka e Setës, një ndër krenaritë e zonës së Dibrës. Në shoqërinë e guidave lokale dhe falë mikpritjes së banorëve të zonës turistët njohin traditën, kulturën dhe legjendat e shumta të kësaj treve, si dhe bukuritë e natyrës. Gryka e Setës, një panoramë unike e diversitetit natyrorë ndahet në dy gryka me shpate të thepisura. Njëra grykë shkon në jug – perëndim në drejtim të Luginës së Pllajit, e cila vazhdon deri në Grykën e Zhurit, duke përfunduar pranë Kalasë së Stelusit. Gryka e dytë vazhdon në perëndim deri në fshatin Gurë – Lurë, e cila përfundon te Liqenet e Lurës. Parku Kombëtar i Lurës është një park kombëtar në verilindje të Shqipërisë, që përfshin një sipërfaqe prej 12.8 km2, duke përfshirë edhe pjesën lindore të Kurora e Lurës. Parku u themelua në vitin 1966 për të mbrojtur ekosistemet e ndryshme dhe biodiversitetin. Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) e ka renditur këtë park si kategori II.http://ata.gov.al/2022/09/17/shtegu-sete-liqenet-e-lures-promovim-i-historise-dhe-vlerave-turistike/
Shtegu Setë-Liqenet e Lurës
RELATED ARTICLES