Në kuadër të “Ditëve të Trashëgimisë”, në Berat janë organizuar një sërë eventesh me fokusin tek ruajtja e trashëgimisë kulturore. Në Muzeun Etnografik, dje pati një paradë veshjesh popullore, ndërsa më pas eventet vijuan me një koncert nën tigujt bizantinë të korit të psaltëve “Shën Joan Kukuzeli”. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka qenë e pranishme në këto evente kulturore, në qytetin e Beratit. Ajo gjithashtu nënshkroi së bashku me kryetarin e Bashkisë Berat, Ervin Demo, marrëveshjen me qëllim lehtësimin e burokracive që qytetarët hasin në zbatimin e projekteve të tyre, që lidhen me Bonusin e Rijetësimit. Berati është qyteti që është mbështetur më shumë nga ky vit i parë i Bonusit të Rijetësimit. Nga 41 fitues të Bonusit, nga Berati përfitojnë 10 aplikantë (8 rijetësime dhe 2 mirëmbajtje). “Si vit i parë kemi hasur dhe në vështirësi, ndaj edhe kjo marrëveshje me bashkinë e Beratit, do të shërbejë që procedurat të ecin më shpejt dhe të ngrihen kantieret e restaurimeve”, është shprehur ministrja Margariti. “Bonusi i Rijetësimit” është një nismë që do të vazhdojë edhe në vitet pasardhëse. Qëllimi i kësaj nisme është rijetësimi i qyteteve me trashëgimi kulturore të spikatur. Berati ka gjithë potencialin për të qenë një kryeqendër e turizmit kulturor, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e qytetarëve të tij.https://ata.gov.al/2022/09/13/ditet-e-trashegimise-ne-berat/
“Ditët e Trashëgimisë” në Berat
RELATED ARTICLES