Si pjesë e Programit EU4Culture, ekspertë të Institutit të Konservimit të Universitetit të Arteve nga Vjena, erdhën në Shqipëri për të ndarë ekspertizën e tyre me zejtarët shqiptarë që punojnë në Kalanë e Bashtovës që po restaurohet. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për restaurimin e kalasë. “Ekspertët po punojnë së bashku për të siguruar që kjo perlë kulturore të restaurohet, duke marrë parasysh punimet tradicionale, materialet origjinale të vendit dhe teknologjitë e konservimit për të arritur rezultatet më të mira të mundshme”, tha Margariti. Margariti bëri të ditur se ekspertët nga Vjena bashkë me studentët e Universitetit të Tiranës studiuan dëmtimet e gurëve dhe mësuan teknika shekullore të përzierjes së llaçit dhe punimit të fugave, duke siguruar përcjelljen e mjeshtërive për të mundësuar restaurimin e saktë të pjesëve të dëmtuara të muraturës. Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi synon të rijetësojë atë e ta kthejë në një qendër tërheqëse për vizitorët. E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash. Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.http://ata.gov.al/2022/09/10/eksperte-nga-vjena-bashke-me-zejtare-shqiptare-ne-restaurimin-e-kalase-se-bashtoves/
Nga Vjena, në restaurimin e Kalasë së Bashtovës
RELATED ARTICLES