Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTPashko Gjeçi, kolosi i letrave

Pashko Gjeçi, kolosi i letrave

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot një nga kolosët e letrave shqipe, përkthyesin e talentuar që solli në shqip “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligierit, “Faustin” e Gëtes, “Odisenë” e Homerit etj, poetin dhe mësuesin, Pashko Gjeçi. Pashko Gjeçi lindi në vitin 1918 në qytetin e Shkodrës. Ai studioi në Kolegjin e Jezuitëve, të cilin nuk arriti ta mbaronte pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare. Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938, Pashko fitoi të drejtën për të ndjekur studimet e larta në Itali. Në vitin 1943 përfundoi Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë në Romë me rezultate të larta me temë diplome “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”. I grishur për të punuar asistent-pedagog në Itali, ai nuk pranon, por nxitet nga Ernest Koliqi për të dhënë kontributin e vet në Atdhe duke u kthyer po atë vit. Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës . Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko vazhdoi të jepte mësim deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas u transferua në qytetin e Durrësit. Këtu e arrestuan si të implikuar në një organizatë e cila kishte për qëllim të përmbyste me dhunë pushtetin komunist në Shqipëri. Gjyqi do ta dënonte me pesë vjet burg, të cilat i bëri kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit ku e dërguan muajt e verës. Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Aty ai vendosi që të përkthejë poetin e famshëm italian Dante Aligerin. Nga 1968 gjer më 1972 jep lëndën e latinishtes në Fakultetin e Mjekësisë. Punon pranë shtëpisë së librit shkollor si korrektor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 do të botohet “Odisea”, një tjetër përkthim i tij. Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000, kryeveprat e përkthyera nga ai në shqip ribotohen, por disa prej tyre shohin për të parën herë dritën e botimit. Komedia Hyjnore dhe Odisea ribotohen më 2006, Fausti (pj.1) më 2008, “Andromaka” dhe “Atalia” e Rasinit më 2010. Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Gjeçi u dekorua nga Presidenti italian Çampi më 2004 me “Urdhrin e yllit të solidaritetit italian” për përkthimin e Dantes . Për 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” (Pjesa I) të Gëtes. Pashko Gjeçi ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare.http://ata.gov.al/2022/09/07/pashko-gjeci-kolosi-i-letrave-qe-u-burgos-nga-diktatura/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments