Tri javë, nëntë pikë. Partizani me pikë të plota në këtë sezon të ri të “Abissnet Superiore”. Të kuqtë, në këtë javë të tretë, kanë arritur të marrin një fitore 1-0 në fushën e Bylisit ku si gjithmonë ai që vendos fatin e ndeshjes është Xhuliano Skuka. Një goditje dënimi e ekzekutuar nga Da Silva i ka dhënë mundësinë sulmuesit të kuq të shënojë golin me vlerën e tri pikëve. Një ndeshje që nisi pikërisht me një mundësi të artë të autorit të golit, i cili në minutën e dytë të takimit, pasi kaloi edhe portierin e ballshiotëve, nuk arrin të kordinohet si duhet për të dërguar topin në rrjetë. Nga ana tjetër, është Qardaku që kërkon të zgjojë ballshiotët, por pa arritur të gjejë kuadratin. Me kalimin e minutave gjithçka përqëndrohet në mesfushë, me duele të forta ku nuk mungojnë dhe ndërhyrjet e gabuara për të mos lejuar nisjen e aksioneve të rrezikshme. Gjithsesi, momenti vendimtar i kësaj sfide do të mbërrijë në minutën e 29-të. Da Silva ekzekuton me zgjuarsi një goditje dënimi, duke shërbyer për Skukën, që tregohet i saktë duke kaluar të tijtë në avantazh. Minutat e fundit të pjesës së parë janë një presing i fortë i ballshiotëve përballë mbrojtjes së kuqe që di të mbrohet mirë. Pjesa e dytë nis me sulme nga njëra portë në tjetrën, Dasilva për Partizanin dhe Damçevski për Bylisin lajmërojnë se do të jetë një sfidë e ndezur. Me kalimin e minutave Partizani mundohet të ruajë rezultatin përballë një kundërshtari që kërkon me të gjitha forcat për të mos dalë duarbosh nga kjo sfidë. Situata bëhet më e ndërlikuar për të kuqtë në fund, Matondo largohet i dëmtuar, ndërsa është plotësuar numri i zëvendësimeve, duke luajtur me një lojtar më pak. Gjithsesi, Partizani arrin të mbrojë me fanatizëm avantazhin e firmosur nga Skuka deri në fund dhe rrëmben një tjetër fitore, që e mban në vend të parë me pikë të plota, nëntë të tilla.https://sport.rtsh.al/artikull/partizani-me-pike-te-plota-perseri-skuka
Partizani me pikë të plota
RELATED ARTICLES