Shqipëria në futboll për femra luan të enjten në “Elbasan Arena”, në ora 18:00, ndeshjen e parafundit të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”. Bëhet fjalë për duelin me Poloninë, që do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Trajneri i Shqipërisë në futboll për femra, Armir Grima, në konferencë për shtyp një ditë përpara ndeshjes tregon se çfarë pret nesër nga vajza. “Të bëjmë ndonjë surprizë në rezultat dhe të vazhdojmë lojërat e mira që kemi bërë. Po luajtëm mirë, po dhamë maksimumin në fushë siç kemi bërë vazhdimisht, besoj se do të dalim me kokën lart nga fusha. 10 pikë në tetë ndeshje, teksa ka marrë tre fitore, 5-0 dhe 4-0 me Armeninë, 3-1 në transfertë me Kosovën, si dhe 1-1 në “Elbasan Arena” po me Kosovën. E duket se këto pikë të lëna në startin e këtyre kualifikueseve dhembin dhe sot për të parin e pankinës kuqezi. “Mendoj që na mungojnë të paktën edhe dy pikë, nga ndeshja e parë që kemi zhvilluar me Kosovën në Elbasan. Megjithatë unë mendoj se kemi bërë një arritje të mirë dhe shpresoj që, ashtu siç kemi thënë edhe në fillim që Kombëtarja e femrave të jetë një lokomotivë për futbollin e femrave në Shqipëri. Besoj se po ecim mirë, po punojmë mirë, po jemi një shembull i mirë edhe për të gjitha vajzat e tjera të kampionatit shqiptar. Po punove, po arrite, do të jesh pjesë e ekipit kombëtar, por edhe pjesë e rezultateve të mira që merr ekipi kombëtar i femrave”. Madje, ndërsa është fundi i kualikueseve të këtij Botërori, Grima thotë se kanë nisur provat për alternativa të reja në ekip. “Ne jemi të detyruar që të provojmë alternativa të reja, sepse kemi dëmtime, kemi mungesa të vajzave dhe normalisht do të ketë hapësira për vajza të reja. Gjithsesi, edhe periudha pas këtyre dy ndeshjeve, në miqësoret që do të bëjmë, besojmë që do të jetë një periudhë e mirë për të rifreskuar ekipin kombëtar, për të gjetur elementë sa më cilësorë që të jenë pjesë e ekipit. Por vazhdimisht janë bërë seleksionime, vajzat ndiqen në çdo ndeshje të kampionatit shqiptar dhe e dimë thuajse me ‘sy mbyllur’ se çfarë ka kampionati shqiptar”. E sakaq të gjithë janë në pritje të pasaportave të reja për lojtare të caktuara, që sipas Grimës, nëse do të vinin tani, do ta bënin skuadrën më të kompletuar. “Për sezonin e ardhshëm, po punojmë që të afrojmë vajza të tjera pranë ekipit kombëtar. Shpresoj në mirëkuptimin e qeverisë, për mos të na u bërë pengesë për pajisjen me pasaporta, sepse është një process shumë i vonuar. Mund të kemi gati 2 vite që presim që të bëhen disa pasaporta dhe do të ishim më të kompletuar tani nëse do t’i kishim. Por besoj se gjuha e përbashkët është gjetur dhe shpresojmë që sezonin tjetër të kemi më shumë vajza që të jenë pjesë e ekipit tonë dhe të kemi mundësi përzgjedhje për kualifikueset e tjera. Dhe gjithashtu shpresojmë të kemi më shumë fat në short. Ndoshta kjo gjë na mungon”. E në fund Grima tregon dhe planet e reja deri në startin e kualifikueseve të Kampionatit Europian në shtator 2023. “Së bashku me Sektorin e Futbollit të Femrave në FSHF kemi bërë një plan afatgjatë për këtë vit, pasi deri në shtatorin tjetër nuk ka eliminatore. Kemi në plan seleksionime, ndeshje miqësore, faza përgatitore, për t’i mbajtur vajzat në tonus siç kemi bërë vazhdimisht këto periudha me ndihmën e FSHF-së”. Shqipëri – Poloni do të gjykohet nga një katërshe skoceze me kryesore Lorein Uatson, asistente të saj Viki Alan dhe Viki Robertson, ndërsa arbitre e katërt Ebie Hendri.https://sport.rtsh.al/artikull/grima-duam-surprizen-me-polonine
Grima: Duam Surprizën me Poloninë
RELATED ARTICLES