Në Edinburg të Skocisë, u mbajt Samiti Ndërkombëtar i Kulturës. Një nga delegacionet pjesëmarrëse ishte edhe ai nga Kosova, i kryesuar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Samiti i Kulturës që këtë vit shënoi edicionin e gjashtë, është ngjarje dy-vjetore që bashkon ministrat e kulturës, institucionet e artit dhe artistët nga e gjithë bota. Gjatë samitit, u diskutua për rolin që kanë arti e kultura në edukim, liri, paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ky organizim vjen edhe si thirrje globale për të vendosur kulturën në thelb të tërë spektrit qeverisës, politikave publike dhe planifikimit zhvillimor. Përgjatë tri ditësh, ministri Çeku bashkë me ekipin e tij ishin pjesë e sesioneve dhe paneleve si folës, patën takime bilaterale me delegacione të ndryshme shtetërore dhe ndoqën disa aktivitete kulturore në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Edinburgut. Ministri Çeku theksoi ndikimin që kultura ka në sistemin arsimor, duke paralajmëruar nisjen e programit shtetëror për edukim artistik. Ai gjithashtu tregoi për përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të ndërlidhur artin, kulturën e trashëgiminë kulturore me sferat e tjera të politikave publike, si planifikimin hapësinor e mjedisin, zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, arsimin e diplomacinë. Takimet e delegacionit të Kosovës shërbyen për të nisur dialogun për bashkëpunimin e ardhshëm bilateral kulturor, ose për konsolidimin e marrëdhënieve ekzistuese në kulturë.https://ata.gov.al/2022/08/30/samiti-i-edinburgut-kultura-ne-qender-te-politikave/
Samiti i Edinburgut, kultura në qendër të politikave
RELATED ARTICLES