Kredia konsumatore vijoi rritjen edhe përgjatë këtij viti. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në periudhën janar-qershor, kredia konsumatore, përfshirë edhe overdraftet, arriti vlerën e 17 miliardë lekëve, duke shënuar rritje me rreth 9%. Rritja e kredive konsumatore flet për vijim të qëndrueshëm të konsumit nga individët. Të dhënat tregojnë se konsumi final i popullsisë shënoi një rritje me afërsisht 5% në tremujorin e parë. Edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj foli pak ditë më parë për ecuri pozitive të ekonomisë në 7 muajt e këtij viti. Sipas saj rritja ekonomike ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë. “Qarkullimi total për 7 mujorin u rrit me 22 %, sipas të dhënave më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndërkohë që në muajin korrik ai është rritur me 31 % në krahasim me muajin korrik të një viti më parë. Rritjen më të lartë për periudhën 7-mujore e ka pasur sektori i tregtisë, por me rritje ishin edhe të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, që tregon si për rritje të konsumit, ashtu edhe për rritje të investimeve në vend”, tha Ibrahimaj. Ndikim sipas Ibrahimajt, kanë dhënë edhe politikat sociale të ndjekura nga qeveria. “Qeveria ka ndërmarrë disa politika për sa i përket mbështetjes dhe subvencionit të familjeve më në nevojë, me qëllim financimin e rritjes së çmimit për ato familje që nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimit; ngritja e Bordeve të ndryshme për të limituar rritjen e çmimeve, qoftë të karburanteve dhe të ushqimeve, e ndërthurur me politikën e subvencionit të energjisë elektrike; jemi kujdesur që asnjë familje shqiptare të mos ketë efekte nga rritjet e konsiderueshme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet botërore, duke mbajtur të kontroll shpenzimet e tyre buxhetore dhe duke ndikuar direkt në buxhetin e çdo familjeje shqiptare nga njëra anë, e nga ana tjetër dhe duke ndikuar indirekt në inflacion duke mbajtur nën kontroll ato kosto shtesë që do t’i vinin pjesës më të madhe të bizneseve të ndikuar nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike. Ndërthurja e të gjithë këtyre politikave, së bashku me mbështetjen për rritjen e çmimeve të karburanteve për ato sektorë të cilat kanë më shumë kosto në prodhim të ndërthurur me karburantin, ka sjellë që deri më tani ekonomia shqiptare të ketë një performancë pozitive, por që edhe inflacioni të jetë i kontrolluar, në krahasim me vendet e tjera të rajonit”, deklaroi ajo.https://ata.gov.al/2022/08/29/kredia-e-re-konsumatore-rritet-me-9/