Përveç triumfit të padiskutueshëm të Luiza Gegës, në Kampionatin Europian të Atletikës, që u zhvillua ditët e fundit në Mynih, ka patur edhe një sportiste tjetër me origjinë shqiptare që siguroi kurorën e më të mirës së kontinentit. Bëhet fjalë për Elina Xhengon, e cila është shpallur kampione e Evropës në hedhjen e shtizës. “Kur erdhëm në Greqi, për shkak të krizës në Shqipëri, babai im punonte në ndërtim dhe nëna pastronte shtëpitë. Dhe ende pastron shtëpitë”, ka rrëfyer 20-vjeçarja për mediat greke pas suksesit të arritur. “Unë i kam premtuar që nuk do ta bëjë më atë punë”, ka theksuar ajo më tej, duke vijuar: “Do të arrij në atë pikë me paraqitjen dhe me rezultatet e mia që të kem mjaftueshëm para që ata të mos punojnë më kurrë”. Por vajza 20-vjeçare, e lindur nga prindër shqiptarë, nuk e ka shijuar tërësisht sukesesin e Evropianit të Mynihut. Edhe pse ajo përfaqësoi Greqinë dhe madje valëviti flamurin e fqinjit jugor në Europian, ku vendosi edhe rekord kontinental si vajza më e re që arrin të fitojë një titull në këtë disiplinë, mesazhet fyese me bazë raciste për shkak të origjinës së saj nuk kanë munguar. “Kam marrë mesazhe negative sepse jam me origjinë nga Shqipëria”, thekson Elina në një intervistë për televizionin kombëtar ANT1. “Telefonatën e parë ua bëra prindërve të mi sepse ata kanë besuar shumë dhe e prisnin këtë sukses. Ata e ndiejnë stresin e garimeve të mija dhe kërkojnë që ta largojnë nga unë”, shton Elina. Në vijim ajo ka zbuluar se vetëm gjatë muajve të fundit është pajisur me pasaportë greke dhe nuk e dinte nëse do të merrte pjesë në Europian, por pavarësisht këtij fakti nuk e ka ndalur stërvitjen. E pyetur nga gazetarët në lidhje me racizmin, ajo thekson: “Në fshatin ku jetojmë nuk e kam ndier sepse njerëzit na trajtojnë shumë mirë. Jam socializuar mjaft mirë me të gjithë banorët atje. Pas garës kam marrë shumë mesazhe negative për shkak të origjinës. Prindërit kanë qenë shumë të zemëruar me faktin që nuk kisha mundësi të konkurroja në nivele ndërkombëtare për shkak të mungesës së pasaportës”https://sport.rtsh.al/artikull/elina-xhengo-nje-tjeter-mirela-manjani
Elina Xhengo, një tjetër Mirela Manjani
RELATED ARTICLES