“Poezi është frymëzim, por jo vetëm. Po e them konkretisht, të merr nga këtu dhe të zhvendos në hapësira të tjera. Të shkruash është ta shohësh botën ndryshe nga tjerët, ky është fat. Perceptimi për botën nuk është vetëm për lulet, ajrin, pemët, por në rradhë të parë për qeniet njerëzore. Poeti e zbulon dhe e sheh qenien njerëzore komplet ndryshe dhe hedhja e tyre në vargje krijon një marrëdhënie speciale mes atij që e lexon dhe atij që e ka shkruar”, kështu tregonte para dashamirësve të artit poetja Adriatike Lami.
Pikërisht këtë ka bërë edhe në takimin e mbrëmjes së fundit në Festivalin Veror të Librit. Autorja e ftuar buzë detit në shëtitoren Taulantia, pranë lexuesve të saj por edhe atyre që e zbulonin rishtazi ka rrëfyer jo në vargje, vargjet e saj. Me të në këtë takim tejet poetik, ka qenë edhe artisti durrësak Oltsen Gripshi, i përzgjedhuri i autores për të kuruar edhe kopertinat e vëllimeve poetike. Sipas autores, çdo detaj artistik që i bashkohet vizualisht një libri të saj është një pasuri tjetër me të cilën vishen vargjet.Lami numëron në jetën e saj artistike 7 vëllime me poezi, të cilat nga kritika janë dalluar për nivel të lartë stilistik, pjekuri në realizimin e metaformës dhe ndjeshmëri të fuqishme. Adriatike Lami është poete, mësuese, eksperte arsimi dhe autore tekstesh shkollore në sistemin parauniversitar. Ka përfunduar studimet për Gjuhë Letërsi në vitin 1994 dhe studimet doktorale pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ka punuar si specialiste e arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe ka përvoja ndërkombëtare në fushën e mësimdhënies, inspektimit, trajnimit, vlerësimit dhe hartimit të teksteve. Ajo ka dhënë mësim si lektore në universitet dhe një sistemin parauniversitar.