Një destinacion që ia vlen të vizitohet këtë fundjavë, është kisha e Shirqit. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, me anë të një postimi në rrjetet sociale, risolli në vëmendje këtë monument kulture të kategorisë së parë. Rrënojat e Manastirit të Shën Sergit e Bakut, njohur ndryshe si Kisha e Shirqit, ruhen në bregun e majtë të Bunës. Në stilin bazilikë me përmasa 30 x 10 m, kjo kishë është konsideruar si një nga kishat më të bukura monastike të stilit romanik në Shqipëri.
Këtë verë dashamirës të historisë dhe natyrës kanë zgjedhur që ta vizitojnë këtë vend të mrekullueshëm, përmes tureve me kanoe, duke e kthyer sitin në një atraksion turistik mjaft tërheqës dhe të vizitueshëm. Muret e kishës së Shirqit kanë nisur të ngrihen që në shekullin VI. Arkitektura e kishës është tepër e veçantë. Është një përzierje e stilit roman me atë gotik. Sipas historianëve, Kisha e Shirqit ka ruajtur formën e plotë të saj deri para 200 viteve. Që nga ajo kohë ajo është shkatërruar gradualisht, duke u pushtuar nga uji.https://ata.gov.al/2022/08/20/kisha-e-shirqit-destinacioni-turistik-ne-bregun-e-majte-te-bunes/