Banka e Shqipërisë parashikon që, rritja e ekonomisë do të mbetet në territor pozitiv gjatë tremujorëve në vijim, por ajo pritet të shfaqet më e ngadaltë në të ardhmen, për shkak rritjes së zgjatur të inflacionit. Sipas BSH-së, zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të mbështetet nga rritja e konsumit dhe e investimeve, si dhe nga një aktivitet i mirë turistik. Bilancet e shëndetshme financiare të ekonomisë, rritja e punësimit, e pagave dhe e kredisë, thekson më tej Banka e Shqipërisë pritet të mbështesin rritjen e shpenzimeve dhe planeve të investimit të familjeve dhe bizneseve shqiptare. Gjithashtu, kërkesa e huaj, ndonëse në ngadalësim, pritet të kontribuojë pozitivisht në rritje, duke pasqyruar kryesisht trendin pozitiv të turizmit, thekson raporti. Ndërkaq, lajme jo të mira vijnë nga ato vende me të cilat Shqipëria ka nivelin më të lartë të bashkëpunimit ekonomik. Banka e Shqipërisë pret që situata ekonomike pritet të jetë veçanërisht e vështirë për Eurozonën, për shkak të varësisë së madhe ndaj gazit rus, tensioneve politike në Itali dhe diferencave ekonomike të vendeve anëtare. Implikimet e këtij mjedisi për ekonominë shqiptare pritet të jenë në trajtën e presioneve të larta inflacioniste dhe mbështetjes më të pakët ekonomike, parashikon Banka e Shqipërisë. Inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta deri në fillim të vitit pasues dhe të vijë në reduktim më tej, për të qëndruar në objektivin 3% në gjysmën e parë të vitit 2024. Inflacioni në vend do të pasqyrojë në një masë të madhe rritjen aktuale të çmimeve në tregun botëror. Më tej, në mungesë të goditjeve të reja, stabilizimi i çmimeve jashtë pritet të lehtësojë presionet mbi inflacionin në vend, vlerëson Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar së fundi mbi politikën monetare.http://ata.gov.al/2022/08/15/inflacioni-i-zgjatur-bsh-ekonomia-do-rritet-por-me-ritme-me-te-ulta/
Inflacioni , BSH: Ekonomia do rritet, por me ritme më të ulta
RELATED ARTICLES