Në Laboratorin e Teknologjisë Gjeohapësinore, të krijuar në vitin 2018, studentët zhvillojnë njohuri praktike në përdorimin e teknologjive GIS dhe Remote Sensing, duke mësuar të grumbullojnë, analizojnë, përpunojnë dhe vizualizojnë informacionin gjeohapësinor.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau sot mesazhin e pedagogut prof. asoc. dr. Edmond Pasho, i cili prej 18 vitesh jep mësim në Fakultetin e Shkencave Pyjore. Ai shpjegon se laboratori shërben si hapësirë mësimi, kërkimi dhe praktike për studentët, me fokus përdorimin e teknologjisë në menaxhimin e pyjeve.

“Studentët mësojnë se si të krijojnë harta digjitale, modele digjitale të lartësive për të vlerësuar konfiguracionin e terrenit, pjerrësinë, lartësinë, kuintrejtimin, variabla të cilat janë mjaft të rëndësishme për rritjen e pyjeve”, shprehet Pasho.

Një tjetër fushë e rëndësishme është analiza e imazheve satelitore, përmes së cilës studentët mund të vlerësojnë shëndetin e pyjeve, dinamikën e zhvillimit të tyre dhe dëmtimet e ndryshme.

Sipas Pashos, aplikimet e teknologjisë gjeohapësinore shtrihen nga inventarizimi dhe vlerësimi i mbulesës pyjore, te monitorimi i ndryshimeve në kohë dhe identifikimi i dëmtimeve të shkaktuara nga zjarret, erozioni dhe ndryshimet klimatike.

“Laboratori i Teknologjisë Gjeohapësinore i pajis studentët me një metodë të re të të studiuarit të pyllit, të të kuptuarit të pyllit, e cila u mundëson atyre gjenerimin e informacionit të saktë lidhur me menaxhimin sa më të përshtatshëm të këtyre burimeve pyjore në të ardhmen”, thekson Pasho.

Ai nënvizon se përballja me sfidat që po hasin pyjet, nga zjarret dhe erozioni te përmbytjet dhe ndryshimet klimatike, kërkon informacion të saktë dhe të besueshëm mbi gjendjen e burimeve pyjore, si dhe monitorim të vazhdueshëm.

Në këtë drejtim, teknologjitë gjeohapësinore po shndërrohen në një instrument të rëndësishëm për formimin e profesionistëve të rinj dhe për marrjen e vendimeve të bazuara në të dhëna për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit.