Skulpturat janë pjesë e ansamblit monumental të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, të ngritur në vitet ’50, ku arkitektura neoklasike dhe arti monumental u konceptuan si pjesë e një tërësie të përbashkët.

Sipas ministrit, në grupin e skulptorëve që punuan për realizimin e tyre ka qenë edhe Odhise Paskali, një prej figurave themeluese të skulpturës monumentale shqiptare.

Figurat e “Valltarëve”, të veshura me kostume tradicionale shqiptare, përfaqësojnë një ndërthurje të artit monumental me motive të traditës dhe identitetit shqiptar.

Ndërhyrja është realizuar në kuadër të projektit të ri të Parkut të Artit dhe rikualifikimit urban të zonës, i cili përfshin edhe hapësirën e Hangarit, me synim rijetëzimin e memories së ish-Kinostudios dhe krijimin e një konturi të ri publik për parkun.