Kompania me seli në Luksemburg, bëri të ditur se pjesa më e madhe e shkurtimeve të vendeve të punës, do të bëhet gjatë vitit 2026.

“RTL Germany”, e cila bleu divizionin gjerman të “Sky” në fillim të këtij viti, tha se synon të shmangë pushimet nga puna për arsye operacionale.

Në vend të kësaj, disa kontrata që përfundojnë në të dyja kompanitë nuk do të rinovohen, ndërsa disa vende pune që janë aktualisht të lira nuk do të plotësohen.

Blerja pritet t’u sjellë kompanive sinergji vjetore prej 250 milionë eurosh brenda tre viteve.

Me “sinergji” këtu nënkuptohen kursime dhe përfitime financiare që krijohen nga bashkimi i dy kompanive.

Sipas RTL-së, pjesa më e madhe e këtyre kursimeve do të vijë nga optimizimi i kostove të përmbajtjes dhe të funksionimit.

RTL tha gjithashtu se do të eliminohen strukturat e dyfishta, do të bashkohen disa përgjegjësi dhe do të krijohen procese më efikase dhe më të përshtatshme, për të ardhmen dhe marrjen e vendimeve.

Drejtori ekzekutiv i “Bertelsmann”, kompanisë që zotëron “RTL Group”, deklaroi më herët se blerja e “Sky” do të ndikonte edhe te punonjësit.

“RTL Germany” kishte njoftuar në fund të vitit të kaluar, planet për të shkurtuar rreth 600 vende pune, si pjesë e një programi ristrukturimi.

Kompania e lidhi atë vendim me ndryshimet e mëdha në tregun e medias, situatën e vështirë ekonomike dhe të ardhurat e dobëta nga reklamat televizive.