Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka zhvilluar qitje me mortaja të kalibrave 60, 81 dhe 120 milimetra në poligonin e armëve të rënda të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci bëri të ditur se aktiviteti u zhvillua në kuadër të trajnimeve në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt, duke synuar forcimin e kapaciteteve dhe aftësive operacionale të efektivëve të FSK-së.
“Ushtarakët tanë dëshmuan përgatitje të lartë profesionale, disiplinë dhe zbatim të standardeve gjatë ekzekutimit të qitjeve”, shkroi Maqedonci në rrjetet sociale.
Sipas tij, aktivitetet e përbashkëta stërvitore me Forcat e Armatosura të Shqipërisë po kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave të dy vendeve.
Maqedonci theksoi se trajnime të tilla ndihmojnë në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së në fushën e artilerisë dhe në rritjen e gatishmërisë e aftësive operacionale të saj.





