Nga Alpet madhështore te ujërat e kristalta të Rivierës, Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët e huaj, shkruan Ambia Staley në botimin francez të revistës së njohur të udhëtimeve “Quartz”, e cila ka përzgjedhur nëntë vendet më të bukura të vendit, që sipas ekspertëve të turizmit meritojnë të zbulohen të paktën një herë.

Shumica e turistëve që planifikojnë një vizitë në Ballkan, ende zgjedhin të njëjtat destinacione të njohura bregdetare në Kroaci ose Mal të Zi.

Shqipëria, e vendosur në jug të tyre, vazhdon të jetë më pak e përfshirë në itineraret tradicionale turistike, pavarësisht se ofron male spektakolare dhe një vijë bregdetare, që mund të rivalizojë shumë prej destinacioneve të Mesdheut.

Ideja se Shqipëria është thjesht një version më pak i zhvilluar i fqinjëve të saj është tashmë e vjetruar.

Industria turistike e vendit është zhvilluar me shpejtësi vitet e fundit, ndërsa çmimet për ushqimin dhe akomodimin mbeten përgjithësisht më të ulëta se në Kroaci apo Itali.