Shqipëria, destinacioni më i lirë në Evropë për këtë verë: Gjire parajsore, hotele me 10 euro dhe vakte me 5 euro. Plazhe që rivalizojnë Karaibet, gastronomi e pasur dhe disa nga shtigjet më spektakolare për ecje.
TIRANË, 15 korrik /ATSH/- Kur mendojmë për plazhe mahnitëse, shpesh na vijnë ndër mend destinacione shumë të largëta, si Karaibet, Tajlanda apo Indonezia, shkruan Alba Solé Ingla në një artikull të botuar në median katalanase “El Nacional”.
Megjithatë, e vërteta është se nuk është e nevojshme të përshkosh gjysmën e globit për të gjetur vende me ujëra të kristalta dhe rërë të imët.
Menorka, Majorka, Ibiza dhe Formentera e dëshmojnë më së miri këtë.
Madje, edhe pa u larguar nga Gadishulli Iberik, Costa Brava fsheh gjire që mund të rivalizojnë çdo peizazh tropikal.
Megjithatë, herë pas here lind dëshira për të dalë nga itineraret e zakonshme, për të bërë gati valixhet dhe për të zbuluar një vend, që ende ruan ndjesinë e aventurës, një vend që ende mbetet për t’u zbuluar plotësisht.
Pikërisht, këtu hyn në skenë Shqipëria, një destinacion që po zgjon gjithnjë e më shumë interes, por që ende mbetet larg flukseve të mëdha turistike të Mesdheut.
Plazhe parajsore
Ky vend ballkanik po fiton gradualisht reputacionin e një prej parajsave të fshehura të Mesdheut.
Riviera Shqiptare shtrihet nga veriu në jug të vendit, ku ndodhet edhe një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme, rrënojat e Butrintit.
Një nga zonat bregdetare më të njohura ndodhet në jug, në Ksamil, ku plazhet me rërë të bardhë dhe ujëra të kristalta mahnisin çdo vizitor.
Duhet pasur parasysh se shumica e plazheve në Shqipëri janë private dhe, për t’i shfrytëzuar ato, është e nevojshme të merret me qira një shezlong dhe një çadër.
Megjithatë, nuk ka arsye për t’u shqetësuar, pasi çmimi zakonisht varion nga 5 deri në 8 euro për gjithë ditën.





