Shqipëria
Një shembull i qartë është bregdeti i Shqipërisë, i cili disa vite më parë përjetoi një shpërthim të madh të numrit të turistëve, të tërhequr nga plazhet mahnitëse dhe çmimet e ulëta që promovoheshin në mijëra video në TikTok dhe Instagram.
Shqipëria përjetoi një bum të jashtëzakonshëm si destinacion turistik falë përhapjes virale të peizazheve të saj në TikTok
Vitet e fundit, mijëra video të publikuara në TikTok dhe Instagram, ku shfaqen plazhet me ujëra të kristalta dhe çmimet e përballueshme, kanë tërhequr vëmendjen e miliona përdoruesve, duke e kthyer bregdetin shqiptar, në një nga destinacionet më të kërkuara në Evropë.
Ky interes është reflektuar edhe në shifra.
Gjatë vitit 2025, Shqipëria priti mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj, rreth 6,6% më shumë se një vit më parë, duke vendosur një tjetër rekord për turizmin.
Më të preferuara nga turistët mbeten destinacionet e Rivierës Shqiptare, si Ksamili, Saranda, Himara, Dhërmiu dhe Vlora, të njohura për plazhet e tyre me ujëra të kthjellëta.
Paralelisht, po rritet edhe interesi për turizmin malor, me Thethin dhe Valbonën që tërheqin çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë.
Ndërkohë, qytetet me vlera historike dhe kulturore, si Berati, Gjirokastra, Kruja, Shkodra, Butrinti dhe Tirana, vazhdojnë të jenë ndalesa të rëndësishme në itineraret e turistëve vendas dhe të huaj.
Sipas autoriteteve shqiptare, vendi po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit, ndërsa rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e vizibilitetit të Shqipërisë, në tregun ndërkombëtar të turizmit.
Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e turizmit
Nëse vitet e fundit sektori i turizmit është transformuar nga rrjetet sociale, në dekadën e ardhshme inteligjenca artificiale pritet të sjellë një revolucion të vërtetë.
Drejtori për Strategjinë, Transformimin dhe Inteligjencën Artificiale, në HBX Group, Javier Cabrerizo thekson se IA-ja mundëson një nivel shumë më të lartë personalizimi.
“Rreth 40% e turistëve, tashmë e përdorin inteligjencën artificiale për planifikimin e udhëtimeve dhe më shumë se 60% janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Kjo tregon një ritëm shumë të shpejtë të përhapjes së një teknologjie, që deri para pak vitesh pothuajse nuk ekzistonte në jetën e përditshme të konsumatorëve”, tha ai.
Sipas tij, mundësia më e madhe nuk është thjesht të rekomandohet një destinacion, pasi këtë e bëjnë tashmë motorët e kërkimit, por të kuptohet çfarë dëshiron realisht secili turist.
“IA-ja mund të sugjerojë akomodime, aktivitete dhe itinerare që përputhen me interesat, buxhetin dhe stilin e udhëtimit të secilit. Gjithashtu ndihmon që udhëtimi të vizualizohet më mirë para rezervimit, duke e bërë planifikimin më të thjeshtë, më efikas dhe më frymëzues”, theksoi ai.





