Sipas ISHP-së, çrregullimi madhor depresiv dhe depresioni me funksionalitet të lartë ndryshojnë kryesisht në mënyrën se si shfaqen dhe sa të dukshme janë simptomat, dhe jo domosdoshmërisht në thellësinë e vuajtjes që përjeton personi.

Ndërsa, çrregullimi madhor depresiv mund të ndikojë më hapur në funksionimin e përditshëm, duke vështirësuar punën, marrëdhëniet sociale apo aktivitetet bazë, depresioni me funksionalitet të lartë shpesh mbetet i padukshëm.

“Personat që përballen me të mund të vazhdojnë rutinën e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të duken mirë në sytë e të tjerëve, ndërsa përjetojnë vështirësi të brendshme emocionale. Mosnjohja e këtyre formave të depresionit mund të sjellë vonesa në kërkimin e ndihmës, si dhe minimizimin e përvojës së personit që përballet me to”, thuhet në postimin e ISHP-së.

Pavarësisht mënyrës së shfaqjes, ISHP nënvizon se depresioni kërkon vëmendje, mbështetje dhe trajtim të përshtatshëm. Njohja e shenjave të para dhe konsultimi me profesionistë të shëndetit mendor mund të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e mirëqenies dhe cilësisë së jetës.

Sipas ISHP-së, ndërhyrja e hershme nuk lidhet vetëm me përballimin e simptomave, por edhe me rikthimin e ekuilibrit emocional, zhvillimin e potencialit personal dhe ndërtimin e një jete më të shëndetshme.

Në një kohë kur shëndeti mendor po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në politikat shëndetësore, ndërgjegjësimi dhe reduktimi i paragjykimeve mbeten hapa të rëndësishëm për t’u siguruar njerëzve mbështetjen që u nevojitet.