Një nga destinacionet më të lashta të Shqipërisë ofron një ndërthurje të detit, arkeologjisë dhe lidhjeve të forta historike me Italinë, shkruan media italiane “Paesi online”.

Zbuloni pse Durrësi konsiderohet një nga qytetet më magjepsëse për t’u vizituar në brigjet e Adriatikut.

Të mbërrish në Durrës do të thotë të zbulosh një nga portet më të gjalla të Adriatikut, por edhe një qytet që “mbart mbi supe” më shumë se 2500 vjet histori. 

Që nga prora e tragetit dallohen vinçat, anijet dhe silueta e një bregdeti, që në pamje të parë duket modern. 

Megjithatë, mjafton të zbresësh në tokë për të kuptuar se këtu e shkuara dhe e tashmja, bashkëjetojnë vetëm pak hapa larg njëra-tjetrës.

Vizitorët nuk gjejnë vetëm plazhe dhe restorante të njohura për gatimet me peshk të freskët, por edhe një qytet ku amfiteatri romak, muret bizantine dhe Kulla Veneciane dëshmojnë ekzistencën e perandorive dhe qytetërimeve të ndryshme ndër shekuj.

Durrësi është gjithashtu një pikënisje ideale për të eksploruar Shqipërinë, veçanërisht për turistët, që mbërrijnë nga Italia dhe kërkojnë një destinacion të afërt, ku gjuha, kuzhina dhe zakonet krijojnë një ndjesi familjariteti. 

Për ata që janë me nxitim është thjesht një qytet tranziti, por për këdo që vendos të ndalet, ai shndërrohet në një bazë të shkëlqyer, për të kaluar disa ditë mes historisë dhe detit.

Durrësi, qyteti bregdetar “i lindur” mbi 2500 vjet më parë

Për të kuptuar historinë e Durrësit duhet të kthehemi te emri i tij i lashtë, Epidamnos, që iu dha nga kolonët grekë të Korintit dhe Korkyrës, të cilët në shekullin VII para Krishtit themeluan këtu, një koloni tregtare.

Pozicioni i tij, në brigjet e Adriatikut dhe përballë Italisë, e shndërroi menjëherë qytetin, në një nyje strategjike për tregtinë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Me ardhjen e romakëve, qyteti mori emrin Dyrrachium dhe rëndësia e tij u rrit edhe më shumë. 

Pikërisht nga Durrësi niste “Via Egnatia”, rruga e famshme që lidhte Adriatikun me Bizantin duke përshkuar Ballkanin.

Një shëtitje në qendrën e sotme të qytetit është si një udhëtim në gjurmët e tregtarëve, ushtarëve dhe zyrtarëve, që për shumë shekuj kanë kaluar në këto rrugë.

Gjatë historisë, Durrësi ka kaluar nën sundimin e bizantinëve, normanëve, venecianëve dhe osmanëve. 

Çdo periudhë ka lënë gjurmët e saj përmes mureve mbrojtëse, fortifikimeve, ndërtesave fetare dhe shtresëzimit urban, që dallohet në çdo cep të qytetit.