Për vite me radhë, Shqipëria ka mbetur jashtë vëmendjes kryesore të turizmit evropian – e njohur, por rrallëherë zgjedhja e turistëve, shkruan media kanadeze “HOLR Magazine”.
Kjo po ndryshon me shpejtësi. Numri i vizitorëve është rritur vazhdimisht dhe kompanitë ajrore me kosto të ulët, tashmë lidhin Tiranën me shumicën e qyteteve kryesore evropiane.
Ndërsa vendi, që për dekada qëndroi i izoluar nga bota, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, duke u ofruar atyre mundësinë ta zbulojnë përpara se zhvillimi i infrastrukturës dhe rritja e kërkesës turistike të sjellin edhe rritjen e çmimeve.
Ajo që e bën Shqipërinë të vlefshme për t’u vizituar nuk është vetëm një element i veçantë.
Është kombinimi unik i qyteteve të vjetra osmane, vijës bregdetare të Jonit, rrënojave bizantine, fshatrave malorë dhe kuzhinës tradicionale që ruan ende, identitetin e saj origjinal.
Vendi shtrihet në një vijë bregdetare rreth 450 kilometra dhe në një vargmal madhështor, Alpet Shqiptare, që kanë tërheqin vëmendjen e alpinistëve dhe adhuruesve të ecjeve.
Megjithatë, nëse pyet shumicën e atyre që e kanë vizituar Shqipërinë, se çfarë u ka mbetur më shumë në mendje, përgjigjja është zakonisht e njëjtë: një vend diku në veri, pranë ujit.





