Në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, Sejko tha se Këshilli Mbikëqyrës miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare, duke vlerësuar se informacioni i ri i marrë gjatë dy muajve të fundit tregon rritje të presioneve mbi inflacionin, të ndikuara kryesisht nga rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe inflacioni në vendet partnere tregtare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni i çmimeve të konsumit u rrit gjatë muajve korrik-gusht, duke shënuar një nivel mesatar prej 3,3%. Rritja u ndikua kryesisht nga çmimet e karburanteve dhe ushqimeve të papërpunuara, ndërsa inflacioni i shërbimeve dhe qirave shënoi rënie.

Banka vlerëson se rritja e inflacionit në këto muaj ishte disi më e shpejtë se parashikimet e mëparshme, ndërsa presionet e importuara u shtuan si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës, produkteve energjetike, ushqimeve dhe lëndëve të tjera bazë në tregjet ndërkombëtare.