Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) bën me dije se arsimi profesional vazhdon rritjen e regjistrimeve, duke arritur në 19.4% të nxënësve të arsimit të mesëm, niveli më i lartë në 25 vitet e fundit.

Sipas AKPA-së, falë reformave të Qeverisë me investime moderne, laboratorë, staf mësimdhënës të kualifikuar, profile të reja dhe arsim dual, rezultatet janë të prekshme në rrugën drejt objektivit: 1 në 3 nxënës në Arsimin Profesional deri në vitin 2030.

Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi. Këto institucione ofrojnë kualifikime profesionale të nivelit të mesëm, përfshirë edhe programe të arsimit profesional në formën e dyfishtë, kualifikime pas të mesme dhe programe formimi afatshkurtra, të përshtatura për të gjitha grup-moshat.