Ndërhyrjet e parashikuara përfshijnë pastrimin e strukturave nga vegjetacioni dhe depozitimet, konsolidimin e muraturave me llaç gëlqeror, mbrojtjen e krerëve të mureve nga ndikimet atmosferike si dhe përmirësimin e elementeve ekzistuese ndihmëse me zgjidhje më pak invazive dhe më të përshtatshme estetikisht.
Sipas dokumentit, çdo ndërhyrje shihet si pjesë e një procesi të vazhdueshëm kërkimor, ku çdo fazë gërmimi mund të sjellë të dhëna të reja dhe të ndikojë në përshtatjen e planeve të punës.
Ky është një moment ku konservimi nuk shihet më si një akt i izoluar ruajtjeje, por si një proces i gjallë shkencor dhe urban, ku teknologjia digjitale, dokumentimi i avancuar dhe qasjet joinvazive i japin formë një modeli të ri menaxhimi të trashëgimisë kulturore.
Në këtë mënyrë, projekti pritet të ndikojë jo vetëm në mbrojtjen e monumenteve, por edhe në mënyrën se si Durrësi do të prezantohet si një qendër e rëndësishme arkeologjike në rajon dhe më gjerë.





