Mozaiku i Tiranës aktualisht mund të vizitohet nga e hëna në të enjte, prej orës 08:00 – 16:00, ndërsa ditën e premte 08:00 – 14:00.
Mozaiku i Tiranës është Monument Kulture i Kategorisë I. Ai është pjesë e një vile romake që daton në shekullin III pas Krishtit. Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e kësaj ndërtese antike.
Restaurimi i fundit i tij, përfundoi një vit më parë dhe u konceptua në mënyrë të atillë për të përfshirë edhe një platformë që mundëson ekspozimin e mozaikëve të mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme si Apolonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani dhe shumë të tjera, duke qenë se ato qëndrojnë të mbuluar për t’u ruajtur nga faktorët e atmosferikë.





