Ndërsa kërkesa për udhëtime ndërkombëtare po rritet përpara sezonit veror, destinacionet që kombinojnë bukurinë natyrore, sigurinë, çmimet e përballueshme dhe përvojat autentike kulturore po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje globale, sipas një artikulli të botuar në “Times Kuwait”.

Mes pikave turistike në zhvillim në Evropë, Shqipëria po pozicionohet gradualisht, si një destinacion tërheqës për vizitorët nga Lindja e Mesme, përfshirë Kuvajtin, duke ofruar një kombinim të turizmit, aventurës dhe mundësive për investim.

Me vijën e saj bregdetare të paprekur në Mesdhe, peizazhet malore, liqenet me ujëra të kristalta, lumenjtë dhe zonat rurale piktoreske, Shqipëria ofron një përvojë turistike të larmishme për kategori të ndryshme vizitorësh.

Nga pushimet luksoze në plazhet e Rivierés Shqiptare me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, te ekoturizmi, aventurat malore, turizmi kulturor dhe përvojat tradicionale, vendi ballkanik po njihet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më premtuese në Evropë.