Muzeu Etnografik vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara kulturore në qytetin e Elbasanit, duke tërhequr interesin e turistëve vendas dhe të huaj që dëshirojnë të njihen me traditën, historinë dhe identitetin kulturor të zonës.
Muzeu Etnografik, sidomos pas rikonstruksionit që iu krye, mbetet një nga pikat më të rëndësishme kulturore të qytetit, duke mirëpritur çdo vit vizitorë nga vende të ndryshme të botës, të cilët përmes këtij institucioni njihen me trashëgiminë kulturore dhe identitetin e qytetit të Elbasanit.
Muzeu Etnografik në Elbasan njihet ndryshe si “Shtëpia e Sejdinasve” dhe është shpallur në vitin 1963 Monument Kulture i Kategorisë I.
Në ndërtesën tipike qytetare dykatëshe të shekullit të 18-të ku është vendosur muzeu, dhuratë e familjes elbasanase Sejdini, prezantohet kuadri historik, zejtaria me rreth 80 lloje zejesh, veshjet dhe tipi i banesës qytetare karakteristike elbasanase.





