Fshati Zogaj, 3-4 kilometra përtej Shirokës në Shkodër, është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore, natyrën e virgjër, por edhe për punën në tezgjah, ku artizanët nuk e kanë harruar traditën duke punuar çdo gjë me dorë.
Ky fshat në veriperëndim të vendit, prezanton identitetin, traditën, ngjyrat dhe përvojën e jashtëzakonshme të Shqipërisë rurale, si për vendasit, por edhe për turistët e huaj.Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuarat nga turistët.





