Sipas ekspertëve, ndikimi pozitiv është i qartë: Kafshët shtëpiake ndihmojnë në uljen e ankthit, përmirësimin e humorit dhe kontribuojnë në rregullimin emocional.
“Ato përfaqësojnë një stimul që shkon përtej shoqërisë”, tha Graziano Onder, profesor në Universitetin Katolik i Zemrës së Shenjtë, në Romë.
Studimi u realizua nga një ekip kërkuesish të udhëhequr nga Adriana Rostekova, në bashkëpunim me Universitetin e Gjenevës dhe Universitetin e Lozanës.
Hulumtimi, i titulluar “Marrëdhëniet gjatësore midis pronësisë së kafshëve shtëpiake dhe funksionimit të aftësive njohëse, në të gjitha moshat e individëve”, u bazua në të dhënat e projektit SHARE “Anketa e Shëndetit dhe Pensionistëve në Evropë” – një studim i madh – i cili që prej vitit 2004 monitoron shëndetin e personave mbi 50 vjeç në disa vende të Evropës, përfshirë Italinë.
Në analizë u përfshinë 16 582 individë të moshës 50 deri në 99 vjeç, të ndjekur për një periudhë prej 18 vitesh.
Rezultatet treguan se pronarët e kafshëve, veçanërisht ata që kujdesen për qen ose mace, kishin një ruajtje më të mirë të funksioneve njohëse krahasuar me ata që nuk kishin kafshë shtëpiake.
Studiuesit theksojnë se ndërveprimi i përditshëm me kafshët, aktiviteti fizik dhe stimulimi emocional mund të jenë faktorë kyç – që kontribuojnë për një efekt mbrojtës ndaj rënies së aftësive njohëse në moshë të avancuar.





