Një nga studimet më të njohura në këtë fushë u realizua nga studiuesja japoneze, Atsuko Saito në Universitetin e Tokios.
Kërkimi u publikua në revistën shkencore “Animal Cognition”, ku u tregua se macet janë në gjendje të dallojnë zërin e pronarit të tyre.
Edhe pa kontakt vizual, shumë mace reaguan menjëherë ndaj zërit të njohur, duke treguar një nivel të qartë njohjeje dhe kujtese.
Një tjetër studim i kryer në Universitetin e Tokios dhe institucione të tjera kërkimore tregoi se macet mund të krijojnë “harta mendore” të mjedisit dhe të njerëzve përreth tyre.
Ky hulumtim sugjeron se ato jo vetëm që kujtojnë individët, por edhe lidhin përvoja të caktuara me ta.
Sipas ekspertëve të sjelljes së kafshëve, përvojat pozitive si ushqimi, përkujdesja dhe siguria ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si macet i kujtojnë njerëzit.
Këto kujtime ndërtojnë një bazë besimi që mund të zgjasë për vite.
Edhe pse macet nuk shprehin gjithmonë dashuri në mënyrë të dukshme, sjellja e tyre e qetë dhe prania e vazhdueshme shpesh, reflektojnë një lidhje të ndërtuar mbi përvoja të mira.
Ekspertët theksojnë se kujtesa e maceve është selektive dhe e lidhur fort me përfitimet dhe emocionet.
Kjo do të thotë se një trajtim i mirë dhe i qëndrueshëm mund të lërë gjurmë të qëndrueshme në sjelljen e tyre ndaj njerëzve.
Në përfundim, edhe pse macet mund të duken të rezervuara, kërkimet shkencore tregojnë se ato kanë një kapacitet të madh, për të kujtuar dhe për të vlerësuar marrëdhëniet pozitive me njerëzit – një formë e heshtur, por e qëndrueshme besnikërie





