Në një kohë kur Shqipëria ishte ende një shtet i ri dhe i brishtë, Rauf Fico i dha diplomacisë shqiptare vizion, dinjitet dhe orientim europian.

Ai përfaqësoi vendin në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të Evropës dhe punoi për ta vendosur Shqipërinë në hartën e marrëdhënieve ndërkombëtare si një shtet serioz dhe i respektuar.

Si ministër i Punëve të Jashtme, ai hodhi themelet institucionale dhe ligjore të shërbimit diplomatik shqiptar që orientuan shërbimin e jashtëm shqiptar për dekada me radhë,  si dhe kontribuoi në ndërtimin e një diplomacie moderne, të organizuar dhe të orientuar drejt bashkëpunimit ndërkombëtar.  

Rauf Fico përfaqëson një brez burrash shteti që kaluan nga epoka e perandorive në epokën e shteteve kombëtare dhe që i shërbyen Shqipërisë me kulturë, integritet dhe vizion.

Kujtesa historike e diplomacisë shqiptare ruan në figurën e tij modelin e diplomatit me vizion, integritet dhe përkushtim të plotë ndaj interesit kombëtar.