Ky vend i vogël evropian ka plazhe mahnitëse si Greqia dhe qytete alpine si Zvicra – por është shumë më i lirë, shkruan Stacey Leasca në një artikull të botuar në “Travel+Leisure”.

“Ndërsa ecja me kujdes mbi shkëmbinj, përpara meje shtrihej deti me ujë të ngrohtë dhe ngjyrë blu të kristaltë. U futa ngadalë në ujë, duke ndier qetësinë që e rrethonte gjithë bregun. Ngrita sytë drejt qiellit, i cili kishte të njëjtën nuancë blu si deti, dhe dëgjoja vetëm rrahjet e zemrës sime. Mbylla sytë dhe u zhyta nën ujë, duke kuptuar në atë moment se parajsa kishte edhe një emër tjetër: Shqipëri!”

Vizitova Shqipërinë, në fillim të qershorit për pushime verore me bashkëshortin tim.

Por në vend që të vizitonim vetëm plazhet e famshme, vendosëm të udhëtonim edhe në brendësi të vendit dhe të shihnim kryeqytetin, Tiranen, për të kuptuar më mirë se si ishte në të vërtetë ky vend.

Dhe na pëlqeu çdo pjesë e tij – pothuajse po aq sa edhe atyre që jetojnë aty.

Shqipëria është një perlë e fshehur në Evropë, e njohur për bukurinë e saj natyrore, historinë e pasur dhe mikpritjen e ngrohtë. Nga plazhet e paprekura të Rivierës Shqiptare deri te majat e ashpra të Alpeve Shqiptare, ka diçka për çdo vizitor.

Shqipëria po përjeton një rritje të madhe të turizmit, pasi gjithnjë e më shumë njerëz po zbulojnë bukurinë e saj të paprekur – si dhe çmimet relativisht të përballueshme.

“E njohur për detin e saj blu të kristaltë, natyrën e paprekur dhe vendet historike, nuk është çudi që Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes turistëve”, tha Taib Dzemidzic, një drejtues lokal i tureve turistike “Flash Pack”.

“Vendi është jashtëzakonisht mikpritës dhe banorët njihen për bujarinë e tyre. Kostoja relativisht e ulët e jetesës dhe e udhëtimit, do të thotë se mund të përjetosh një eksperiencë të paharrueshme turistike pa shpenzuar shumë para. Është një zgjedhje e shkëlqyer edhe për udhëtimet solo”, shtoi ai.

Nëse dëshironi ta përjetoni vetë, ju bëjmë me dije gjithçka që duhet të dini për të planifikuar një udhëtim perfekt në Shqipëri!