Gjatë bisedës me YouTuber-in Brian Tyler Cowen, Obama u pyet drejtpërdrejt: “A janë alienët realë?”
“Ata janë realë”, u përgjigj ai, duke shtuar menjëherë: “por unë nuk i kam parë”.
Obama theksoi se si president kishte kërkuar informacion mbi pretendimet për fshehjen e qenieve jashtëtokësore në bazën sekrete amerikane Area 51, por nuk kishte gjetur prova që mbështesin këto teori konspirative.
Ai sqaroi se ekzistojnë fenomene ajrore të paidentifikuara (UFO/UAP) që mbeten të pashpjeguara plotësisht, por kjo nuk do të thotë se qeveria amerikane ka në zotërim trupa apo anije kozmike të alienëve.
Deklaratat e Obamës vijnë në një kohë kur autoritetet amerikane kanë publikuar raporte zyrtare mbi objekte ajrore të paidentifikuara, duke pranuar se disa raste mbeten pa shpjegim të qartë, por pa prova për origjinë jashtëtokësore.
Area 51, një bazë ushtarake shumë e përfolur në Nevada, ka qenë prej dekadash në qendër të teorive të konspiracionit që lidhen me UFO-t dhe alienët.
Komentet e ish-presidentit u interpretuan kryesisht si ironike, duke synuar të sqarojnë se, pavarësisht misterit që rrethon disa fenomene ajrore, nuk ka konfirmim zyrtar për ekzistencën e qenieve jashtëtokësore të mbajtura nga qeveria amerikane.





