Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ndau në rrjete sociale pamje nga ambientet ku janë akomoduar katërputroshët teksa u shpreh se qendra ka një kapacitet të konsiderueshëm dhe ofron kushte të përshtatshme për trajtimin e qenve endacakë, të cilët kapen dhe menaxhohen sipas standardeve të përcaktuara.
“Qentë vaksinohen, ushqehen rregullisht dhe mbahen në kushte të përshtatshme nga një staf i specializuar, veçanërisht në këto ditë të ftohta, kur kujdesi është edhe më i domosdoshëm”, tha Filo.
Ai theksoi se funksionimi i kësaj qendre kontribuon jo vetëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për kafshët, por edhe në garantimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët.
Në këtë kuadër, Bashkia Korçë u bën thirrje banorëve, organizatave të mbrojtjes së kafshëve dhe të gjithë dashamirësve të kafshëve që, nëse dëshirojnë, mund të kontribuojnë në kujdesin për qentë endacakë ose t’i adoptojnë ata, duke u ofruar një familje dhe një ambient të ngrohtë.
“Kujdesi për kafshët është një tregues qytetarie dhe humanizmi. Së bashku mund të bëjmë më shumë për të përmirësuar standardet e jetesës dhe bashkëjetesën në komunitetin tonë”, u shpreh kryebashkiaku Filo.





