Fasada e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u transformua përkohësisht në nëntor të vitit të kaluar përmes instalacionit “Dielli i ditës tjetër”, ku historia bashkohet me artin bashkëkohor.
Artistja zgjodhi të vendosë mbi figurën kryesore femërore të mozaikut monumental “Shqipëria”, një element të ri artistik, rikontekstualizuar si një gjest simbolik në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit.
Në “Dielli i Ditës Tjetër”, kjo figurë e njohur e mozaikut rishfaqet me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë, si shenjë solidariteti me të gjitha gratë që përballen ose kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit.
Ky gjest artistik e zhvendos heroinën mitike të mozaikut në figurën e gruas reale bashkëkohore, të ndjeshme, të plagosur, por të fortë dhe në lëvizje përpara. Një vepër që flet për jetën, forcën dhe rilindjen si pjesë e kujtesës dhe ndërgjegjësimit kolektiv.
Instalacioni qëndroi i dukshëm në fasadën e muzeut, si kushtim për 1 në 12 gra që diagnostikohen me kancer gjiri, një kujtesë e përbashkët dhe një thirrje për ndërgjegjësim, solidaritet dhe shpresë.





