Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 2,6% në muajin qershor të këtij viti, duke arritur në 21,2 miliardë lekë, nga 19,2 miliardë lekë që ishin në qershorin e 2024-ës.
Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit.
Ndërkohë, gjatë gjashtëmujorit të këtij viti në total importet e kësaj kategorie llogariten 110,6 miliardë lekë, nga 118,5 që ishin gjatë 6-mujorit të 2024-ës.
Referuar të dhënave të INSTAT-it, Italia, Kina dhe Gjermania janë partnerët kryesorë me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie.
Gjithsej nga Italia gjatë 6-mujorit u importuan rreth 20,1 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Nga Kina u importuan 26,2 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Turqia u importuan 6,3 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Investimet e Huaja Direkte arritën një rekord të ri historik për vitin 2024. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato shënuan vlerën e 1,58 miliardë eurove, në rritje me 5,7% krahasuar me një vit më parë.
Shtimi i investimeve të huaja direkte po mbështetet fort nga forcimi i monedhës kombëtare, lekut, në kursin e këmbimit valutor në tregun e brendshëm.