Agrobiznesi është i përjashtuar nga TVSH-ja për importin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre, pavarësisht nga vlera e investimit.

Për të përfituar përjashtim nga TVSH-ja në importin e makinerive dhe pajisjeve, subjektet agropërpunuese duhet të aplikojnë përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Portali “e-Albania” ndau në rrjete sociale hapat që ndiqen duke aplikuar në zgjedhjen e shërbimit: “Makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit”.

Më pas duhet të plotësohet formulari dhe të ngarkohen dokumentet e kërkuara, kopje e planit të investimit dhe preventivi. 

Nëse aplikimi i plotëson kushtet, mundësohet hedhja e autorizimit në sistem.

Autorizimi “Makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit” është një autorizim që i jepet operatorit ekonomik i cili vepron në fushën e agrobiznesit. Me anë të këtij autorizimi operatori përfiton nga përjashtimi i pagesës së TVSH-së në momentin e importimit.

Portali “e-Albania” publikoi linkun ku aplikohet, teksa njoftoi se koha për marrjen e shërbimit është 15 ditë dhe dokumenti mbërrin elektronikisht tek rubrika “Dokumentet e mia” dhe në e-mail.