Ministrat e Jashtëm të NATO-s diskutuan kërkesën e Trump për të rritur masivisht investimet në mbrojtje, ndërsa SHBA-ja përqendrohet në sfidat e sigurisë jashtë Evropës, sipas AP.
Në bisedimet në Antalia të Turqisë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se nevojiten më shumë investime dhe pajisje ushtarake për t’u përballur me kërcënimet e paraqitura nga Rusia dhe terrorizmi, por edhe nga Kina, e cila është bërë fokusi i shqetësimit të SHBA-së.
“Kur bëhet fjalë për shpenzimet kryesore të mbrojtjes, duhet të bëjmë shumë, shumë më tepër”, u tha Rutte gazetarëve.
“Sapo të mbarojë lufta e Rusisë në Ukrainë, Moska mund të rindërtojë forcat e saj të armatosura brenda tre deri në pesë vjetësh”, tha ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio këmbënguli se kërkesa e SHBA-së për të investuar 5% të produktit të brendshëm bruto (PBB) në mbrojtje – gjatë shtatë viteve të ardhshme – ka të bëjë me shpenzimin e parave për pajisjet ushtarake – që janë të nevojshme për kërcënimet e shekullit XXI.
Diskutimet mbi shpenzimet e mbrojtjes po bëhen intensive para samitit të presidentit Donald Trump dhe homologëve të tij të NATO-s, në Holandë më 24-25 qershor.
Ky takim do të përcaktojë kursin për sigurinë e ardhshme evropiane, përfshirë atë të Ukrainës.
Në Stamboll, delegacionet ruse dhe ukrainase do të zhvillojnë nesër bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta për paqe.
Presidenti rus, Vladimir Putin e hodhi poshtë kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për t’u takuar ballë për ballë në Turqi, këtë javë.
Ndërkohë, Rubio, i cili pritet të vizitojë Stambollin nesër, u takua me ministrin e Jashtëm sirian, Assad al-Shaibani përpara takimit të NATO-s, ndërsa Damasku kërkon të riintegrohet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.