Presidenti francez, Emmanuel Macron tha sot se dëshiron të arrijë një plan të përbashkët SHBA-Evropë për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë, në orët dhe ditët në vijim, dhe sanksione masive ekonomike nëse marrëveshja nuk respektohet.
”Rusët duhet të thonë ‘po’. Jo tre ditë për të argëtuar gjindjen, si të thuash, për të rrethuar 9 majin dhe për të mbajtur një paradë. Jo, 30 ditë”, i tha ai kanalit polak ”Telewizja Polska”.
“Shpresa ime (…) është që në orët dhe ditët në vijim, të gjithë të mund të bashkohemi për t’u zotuar për një armëpushim, duke thënë se nëse njëra nga palët e shkel atë, do të ketë sanksione masive ekonomike”, shtoi ai.
Udhëheqësit e vendeve evropiane që mbështesin ushtarakisht Kievin dhe janë të gatshëm të ofrojnë garanci sigurie sapo të arrihet paqja, do të takohen nesër, disa prej tyre personalisht në Ukrainë.
Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vendet e Evropës Veriore njoftuan sot se mbështesin propozimin e presidentit të SHBA-së Donald Trump për një armëpushim 30-ditor pa kushte në Ukrainë.
Emmanuel Macron përmendi gjithashtu lëshime të mundshme territoriale sapo të konsolidohet një armëpushim, si pjesë e negociatave për një “paqe të fortë dhe të qëndrueshme”.
“Çfarë do të thotë kjo? Domethënë, ky armëpushim synon t’u lejojë rusëve dhe ukrainasve të diskutojnë çështjet territoriale, çështjet më të ndjeshme në lidhje me këtë apo atë qytet, termocentralet bërthamore si dhe garancitë e sigurisë”, vuri në dukje ai