Migrimi në Gjermani nuk çon në nivele më të larta të krimit, tregon një sondazh i Institutit ”Ifo” për statistikat e krimit të policisë për vitet 2018 deri në 2023, shkruan adnkronos.it.

“Ne nuk gjejmë asnjë lidhje midis një përqindjeje në rritje të të huajve dhe shkallës së krimit lokal. E njëjta gjë vlen veçanërisht për refugjatët”, thotë studiuesi i Ifo, Jean-Victor Alipour.

“Gjetjet janë në përputhje me kërkimin ndërkombëtar, i cili zbulon se migrimi dhe flukset e refugjatëve nuk kanë një ndikim sistematik mbi krimin në vendin pritës”, shton ai.

Të huajt janë të mbipërfaqësuar në statistikat e krimit në raport me pjesën e tyre të popullsisë. Kjo është për shkak të faktorëve të pavarur nga origjina: migrantët priren të vendosen në zona metropolitane, ku rreziku i përgjithshëm i krimit është më i lartë, madje edhe për vendasit.

Fakti që të huajt janë mesatarisht më të rinj dhe më shpesh meshkuj është më pak i rëndësishëm.

“Nëse i merrni parasysh këta faktorë, nuk ka asnjë lidhje statistikore midis pjesës rajonale të të huajve dhe shkallës së krimit. Supozimi se të huajt ose refugjatët kanë më shumë gjasa të kryejnë krime sesa vendasit e krahasueshëm demografikisht nuk është i qëndrueshëm”, thekson studiuesi.