Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi sot se “MAS i ka kryer të gjitha procedurat financiare për shpërblimin e të gjithë sportistëve që kanë fituar medalje, nëpërmjet federatave sportive përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi”.
“Pas kësaj, është detyrim i vetë federatave për të kaluar këto shpërblime të qeverisë në llogarinë personale të sportistëve”, thekson Kushi.
Kushi reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale lidhur me lajmin e publikuar në disa medie sipas të cilave sportisti Briken Calja nuk është shpërblyer ende për titullin kampion.
“Po lexoj sot në media një lajm të pavërtetë që gjoja qeveria sorollat kampionin Briken Calja dhe nuk e ka shpërblyer ende për titullin kampion bote në peshëngritje. Për informim të opinionit publik, po ju publikoj urdhrat e pagesës për shpërblimin e Brikenit bashkë me trajnerin e tij, jo vetëm për kampionatin botëror por edhe atë evropian”, deklaroi Kushi.
Ministrja i bën thirrje të gjitha federatave që të zbatojnë detyrimet e tyre ndaj sportistëve brenda afateve të caktuara.
“Qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë pa u ndalur sportistët tanë elitarë dhe zhvillimin e sportit në tërësi”, tha Kushi krahas vendimit të publikuar.
MAS ka marrë vendim me datë 21.04.2022 që sportisti Briken Calja, fitues i vendit të katërt në stilin e shkëputjes, vendit të dytë në stilin e shtytjes dhe vendi i tretë në dygarësh, në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të Rritur zhvilluar në Rusi, të shpërblehet me shumën 21 00 000 lekë si dhe shpërblimin e trajnerit Gerard Toska me shumën 840 000 lekë.
Gjithashtu, po me këtë Urdhër është vendosur shpërblimi i sportistit Briken Calja fitues i vendit të parë në stilin e shkëputjes, vendit të dytë në stilin e shtytjes dhe vendi i dytë në dygarësh në Kampionatit Botëror të Peshëngritjes të zhvilluar në Uzbekistan me shumën 17 800 000 lekë dhe trajnerin Gerard Toska me shumën 7 120 000 lekë.