Dixhitalizimi i shpejtë i vendeve të punës duket se ka krijuar shumë mundësi të reja për efektshmëri dhe produktivitet, por njëherësh edhe sfida të reja për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja ka theksuar rëndësinë e informimit dhe këshillimit konkret në vendet e punës ndërkohë që vijon Fuushata Europiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë 2023-2025 Nën sloganin “Vende Pune të Shëndetshme, në Epokën Dixhitale”, fushata e udhëhequr nga Agjencia Europiane e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (EU-OSHA).
Sipas Gonxhes, Inspektorati Shtetëror i Punës është angazhuar të kryejë inspektime informuese, këshilluese dhe ndërgjegjësuese mbi çështjet që lidhen me Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
“Sektori i Ndërtimit mbetet në fokus, për shkak të zhvillimit të tij dhe rrezikut të lartë për sigurinë dhe shëndetin në punë për punëmarrësit. Kjo fushatë nuk ndalet vetëm tek elementët tradicionalë të sigurisë, por përfshin edhe qasje të reja ndaj formave moderne të punës, duke mbrojtur të drejtat e punëmarrësve dhe promovuar kushte pune të denja”, u shpreh Gonxhja në rrjetet sociale.
Sipas kësaj fushate, këto rreziqe duhet të vlerësohen dhe menaxhohen në mënyrë të përshtatshme për të siguruar që të gjithë punonjësit të mund të kryejnë veprimtaritë e tyre në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshme. Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin për ndikimin e teknologjive dixhitale te puna dhe vendi i punës dhe për mënyrën si mund të trajtohet ky ndikim.