Monday, October 21, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTMuzeu i Luftës së Ftohtë tërheq turistët në Gjirokastër

Muzeu i Luftës së Ftohtë tërheq turistët në Gjirokastër

Përgjatë sezonit turistik të verës, Muzeu i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër po tërheq vëmendjen e turistëve, ndërsa prej fillimit të vitit janë rreth 1 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët kanë vizituar mjediset e tij. Muzeu funksionon në një ish-vendstrehim luftarak të ndërtuar prej betoni, gjatë periudhës së komunizmit. Duke qenë se ndodhet pranë Pazarit karakteristik, i cili është edhe zona më e vizituar nga turistët, Muzeu i Luftës së Ftohtë ka pasuruar dhe e ka bërë më tërheqës udhëtimin e vizitorëve në Gjirokastër. Muzeu – simbol i Luftës së Ftohtë Grupet turistike të huaja që mbërrijnë në Gjirokastër, porsa marrin informacionin e nevojshëm për Muzeun e Luftës së Ftohtë, preferojnë të nxitojnë për ta parë nga afër. Muzeu funksionon në vendstrehimin luftarak prej betoni, që u ndërtua në fillim të viteve 1970. Tuneli, i cili përshkon pjesën e poshtme të shkëmbinjve, mbi të cilët ngrihet kalaja e qytetit, është i gjatë rreth 800 metra. Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë aksesorësh, të cilët do të shërbenin për akomodimin e ish-udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë. Vendstrehimi përbëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushimi, madje pjesë e tij është edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj. Vizitorë në muze Duket se vizitorët e huaj vazhdon t’i tërheqë kurioziteti dhe kërshëria për të parë nga afër këtë “qytezë” nëntokësore, e gjitha me beton, e ndërtuar për të përballuar kontradiktat e Luftës së Ftohtë. Tashmë të gjitha këto mjedise të derdhura në beton, po tërheqin grupet turistike që vizitojnë qytetin e gurtë. “Me thënë të drejtën vizitën në këtë vend na e sugjeroi shoqëruesi ynë turistik”, thotë për ATSH-në Sara, një vizitore nga Gjermania. Ndërsa ngjit shkallët e gurta që të çojnë në Muzeun e Luftës së Ftohtë, ajo flet me kuriozitet dhe kërshëri për objekte të tilla. “Mendoj se njohja nga afër e këtyre objekteve, është diçka interesante jo vetëm për të shuar disi kuriozitetin, por për të parë nga afër edhe efektet që shkaktoi Lufta e Ftohtë”. Ndërkohë pasi ka arritur në krye të shkallareve të gurta që të çojnë në vendstrehimin e dikurshëm luftarak, vizitorja e huaj fillon të shkrepë blicin e aparatit fotografik për të fiksuar konturet e betonta në hyrje të tunelit. Falë sistemit të ndriçimit bashkëkohor që funksionon në muze, turistët përshkojnë korridorin prej betoni, i cili të çon në “zemër” të ish-vendstrehimit luftarak. “Me të vërtetë interesante, diçka tërheqëse”, pohojnë turistët, ndërkohë që nuk reshtin së shkrepuri aparatet fotografike. Duket se historiku i këtij ish- vendstrehimi luftarak, i gërshetuar me gjithë historinë e Luftës së Ftohtë krahas informacionit historik shërben edhe si një element atraktiv turistik. Ndërkohë që përshkojnë hyrjen e tunelit të betontë, vizitorët e huaj kundrojnë me kërshëri çdo element të vendstrehimit, i cili gjatë Luftës së Ftohtë do të shërbente si ambient pune për ish-udhëheqjen komuniste lokale në Gjirokastër. Dhe gjatë bisedave me njëri-tjetrin ata nuk harrojnë të sjellin edhe shembuj të tjerë kur objekte të tilla kanë tërhequr interesimin e vizitorëve duke shërbyer si qendra të rëndësishme për nxitjen e turizmit në zonat ku ishin ndërtuar. Muzeu, një atraksion më shumë për turistët Ky muze tashmë është një atraksion më shumë për turistët, të cilët vizitojnë qytetin e Gjirokastrës. Ciceronët e muzeut shprehen se vizitorët, kryesisht ata të huaj, i tërheq historia e ish-vendstrehimit të ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. “Turistët nga shtetet e ndryshme janë të interesuar për mënyrën e ndërtimit të muzeut si dhe historikun e tij në vite”, shprehen guidat turistike. Tashmë vlerave arkitektonike të Gjirokastrës, aq të vizituara nga turistët, i shtohen edhe elementet historikë, siç është periudha e Luftës së Ftohtë. Një fakt i tillë zgjeron hartën e vizitueshmërisë së qytetit të gurtë, duke pasuruar guidat e udhëtimeve për turistët.

https://ata.gov.al/2022/07/04/muzeu-i-luftes-se-ftohte-terheq-turistet-ne-gjirokaster/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments