Liqeni i Fierzës po shkon drejt pikës kritike duke sjellë ndikim të dukshëm dhe në prodhimin e energjisë elektrike. Baseni më i madh ujëmbledhës në vend për energjinë ka pësuar një ulje të ndjeshme të nivelit të ujit pavarësisht reshjeve intensive të shiut gjatë javës së dytë të shtatorit ndërsa Edhe prurjet në Kaskadën e Drinit janë në nivele të ulëta.
Sipas të dhënave nga hidrocentrali, Fierza ndodhet në nivelin e 270.73 m mbi nivelin e detit ndërsa prurjet janë minimale rreth 75 m3/sek. Kuota maksimale e liqenit të Fierzës është 296 m mbi nivelin e detit ndërkohë që aktualisht ndodhet 26 metër larg pikës maksimale.
Me qëllim ruajtjen e rezervës hidrike momentalisht asnjë turbinë nuk është në punë për prodhimin e energjisë elektrike nga katër që ka në total. Megjithatë pritshmëritë mbeten optimiste pasi sipas parashikimeve meteorologjike pritet që në ditët në vijim në Shqipëri dhe Kosovë të ketë reshje shiu çka mund të përmirësojë situatën hidrike dhe rrjedhimisht energjetike në kaskadën e Drinit.