Dy ekspozitat në Galerinë e Artit Tiranë, paraqesin rezultatet përfundimtare të kërkimit dhe praktikës së dy artisteve, në programin e rezidencës (2023-2024), të ftuara për të eksploruar Tiranën, që nga karakteristikat urbane e deri tek transformimi psiko-social i saj, parë nga këndvështrimi i brendshëm dhe i jashtëm, duke gjeneruar praktika dhe mënyra të reja të kërkimit individual dhe kolektiv, për të kuptuar se si të bashkëjetojmë me realitetin dhe cili është qyteti për ne që jetojmë në të.
“Tirana 1+1” & “CityX- Unë, Tiranë” janë projekte të porositura dhe mbështetura nga GAT-i e Bashkia Tiranë, që nga faza fillestare në dhjetor 2023, deri tek kjo ekspozitë, e cila bashkë me punëtoritë dhe programin e edukimit i cili e shoqëron është organizuar edhe me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Qendrës Goethe në Tiranë.
“Tirana in 1+1” e Arnilda Kyçykut, është një përzierje harmonike e eksterierit me interierin, që reflekton lidhjen e artistes me këtë qytet. Ajo ka përfshirë aspekte sociale, personale, intime dhe emocionale, duke i ndërthurur ato me objekte ose aktivitete që i vëren shpesh në këtë qytet.
Ndërsa “CityX-Unë, Tiranë” nga Doris Graf është një projekt artistik që i bën bashkë njerëzit e një qyteti, duke u thënë atyre se “ne jemi shumë dhe jemi të ndryshëm (vizatimet), por gjithashtu kemi shumë të përbashkëta (piktograme)”.