Sipas BSH-së, kursi euro/lek rezultoi mesatarisht 101.5 në muajin prill dhe 100.4 në muajt maj e qershor, nga 104.0 që ishte në dy tremujorët paraardhës. Gjatë muajit korrik, ai është shfaqur i qëndrueshëm pranë mesatares së dy muajve të mëparshëm. Por krahasuar me një vit më parë, shpejtësia dhe masa e mbiçmimit të vërejtur deri tani gjatë këtij viti janë ndjeshëm më të ulëta. Sipas BSH-së, kjo për faktin e zgjerimit të investimeve, rritjes së fluksit të turistëve dhe eksporteve. Për pasojë, mbiçmimi vjetor i kursit eur/lek është zvogëluar në tremujorin e dytë, duke zbritur në 6.4% në qershor e më tej në 2.8% në muajin korrik, nga 9.4% që ishte në fund të tremujorit të parë të vitit. Pavarësisht luhatjeve në tregun valutor, BSh-së vëren se, gjatë këtij viti, tregu valutor është karakterizuar nga vëllime të larta dhe kushte normale të tregtimit. Rritja vjetore e vëllimeve të tregtimit u përshpejtua në 30% në tremujorin e dytë, nga 16% që ishte në tremujorin e parë të vitit dhe 11.5% vitin që kaloi. Paralelisht, luhatshmëria dhe spread-et mes kuotimit në shitje dhe atij në blerje për Euron kanë rezultuar brenda intervalit normal të tyre. Ekspertët theksojnë se niveli i euros përballë lekut do të jetë një normalitet i ri në kursin e këmbimit dhe nuk parashikohet që të ketë një forcim të monedhës europiane ndaj lekut. Dobësimi i monedhës europiane vlerësohet si një faktor pozitiv nga Banka e Shqipërisë pasi ndikon direkt në mbajtjen nën kontroll të çmimeve të konsumit. Po ashtu një trend i tillë është pozitiv edhe për të gjithë ata persona që kanë kredi në euro sepse do të paguajnë më pak. Përfitime nga një lek i fortë përballë euros ka edhe qeveria pasi paguan më pak kosto për boxhin e jashtëm. Ata që dëmtohen direkt janë eksportuesit pasi i shesin mallrat në euro duke marrë më pak fitime. Por këtë vit monedha kombëtare shqiptare, duket se ka fituar revansh edhe kundrejt valutave të tjera të huaja. Leku është mbiçmuar edhe ndaj dollarit amerikan gjatë tremujorit të dytë. Kështu kursi usd/lek zbriti në 94.6 lekë/usd në muajin prill, nga 95.7 lekë që ishte në tremujorin e parë, për t’u luhatur rreth mesatares 93.1 lekë në muajt maj dhe qershor. Ndërkohë gjatë muajit korrik, nënçmimi i dollarit kundrejt euros në tregun ndërkombëtar ka sjellë edhe dobësimin e tij në tregun vendas. Mbiçmimi vjetor i lekut ndaj dollarit amerikan ka vijuar të bjerë, duke qëndruar në 5.9% në qershor dhe 0.9% në korrik, nga 7.6% që ishte në fund të tremujorit të parë.