Eksportet shqiptare drejt Kinës shënuan rritje me 25 % gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi se në 6-mujorin e këtij viti eksportet e mallrave shqiptare drejt Kinës llogariten në vlerë 5.3 miliardë lekë, nga 4.2 miliardë lekë të eksportuara në 6-mujorin e 2023-shit.

Ndërkohë, importet e mallrave, referuar INSTAT, arritën vlerën 42.4 miliardë lekë. Në të njëjtën periudhë të 2023-shit u importuan 46.7 miliardë lekë mallra.

Shqipëria eksporton drejt Kinës kryesisht minerale, ndërsa importon makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi vlera e të cilave gjatë këtij 6-mujori llogaritet 20.4 miliardë lekë.

Po ashtu tekstile dhe këpucë, me vlerë gati 4.9 miliardë lekë, produkte kimike e plastike me vlerën mbi 6.5 miliardë lekë dhe dhe materiale ndërtimi e metale me vlerë 5.9 miliardë lekë.